Histori me Zhurmues - Viti 1949 - Emisioni 25 - Sezoni 1 (21 qershor 2009)
RTV Klan Arkiv RTV Klan Arkiv
49.8K subscribers
80,731 views
228

 Published On Oct 2, 2018

Pas vrasjes së Bardhok Bibës brigada e mbrojtjes së popullit me urdhër të qeverisë komuniste arrestoi rreth 300 persona dhe internoi rreth 300 familje në Mirditë. Ndërsa një trup gjykues i ngritur me shumë shpejtësi vendosi të ekzekutojë 14 nga ato të cilët ishin arrestuar. Ekzekutimi u caktua në Qafë Valmir atje ku ishte ekzekutuar edhe sekretari politik Bardhok Biba. Vrasja e Bibës ishte paranteza e një fushate spastrimesh mbi familjet nacionaliste më me ndikim në zonën e Mirditës.

Lekë Shtia i cili në atë kohë ka qenë 3 muajsh ishte në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço për të folur për ekzekutimin e babait të tij Nikoll Bardhoku.


“Unë jam djali i Nikoll Bardhokut i cili është pushkatuar në vitin 1949, pas vrasjes së Bardhok Bibës. Vrasja e Bardhok Bibës ishte një tronditje për mbarë Mirditën.  Familja ime përjetoi një kalvar vuajtjesh, është shumë e dhimbshme për t’u treguar, por mendoj se duhet të tregohet. Im atë ishte një burrë me emër, kishte marrë disa grada dhe burrë me influencë. Kishte miqësi me Bardhok Bibën dhe Tuk Jakovën, ka qenë partizan në fundin e luftës. Më 11 Gusht 1949 në Mirditë ndodhi hataja, jo vetëm në familjen time, në 12 të natës është rrethuar shtëpia. Kishte zbritur në Mirëditë brigada e Nekës nën drejtimin e Zia Kampos. Në shtëpinë time kanë arrestuar babain dhe nëna i ka fshehur pistoletën. Terror në familje, por pa shumë zhurmë, zhurma erdhi më pas. Ai është torturuar deri në shpërfytyrim. Ekzekutimi është bërë në të njëjtin vend ku ishte ekzekutuar Bardhok Biba, në një lis ishin varur 4 litarë dhe afër tij ishin hapur gropat. Babai im ka rënë i gjallë në gropë dhe këto kanë nisur t’i mbulojnë me dhe. Ai ka bërtitur: Mos na mbuloni gjallë.

Në atë moment i kanë shkuar me automatik dhe e kanë vrarë. Kaq ka qenë si skenë. Pas atij momenti është realitet që ka qenë mes i Gushtit dhe nga kohë e mirë koha është prishur dhe ka rënë dëborë. Kjo nuk është letërsi.

Kam patur një kontakt me komandantin e skuadrës së ekzekutimit pas ’90. Babai im është pushkatuar i fundit me 2 plumba nën sqetull.

Kam një moment tragjik më shumë me internimin e nënës se sa me vrasjen e babait. Unë kam qenë 3 muajsh në atë kohë. Ato kanë ardhur në shtëpi për të marrë nënën dhe ajo iu ka kërkuar që t’më lidhë në djep, por ato jo vetëm që nuk e kanë lejuar, por i kanë thyer djepin. Këmi qëndruar në kampin e Tepelenës deri në ’53 kur kam qenë gati 4 vjeç. Mbaj mend që kur jemi kthyer, shtëpia ishte rrënuar”, tregon Lekë Shtia.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv

show more

Share/Embed